Vrasja në Prishtinë, reagojnë ministrja e Arsimit dhe SBASHK-u
Kronika

Vrasja në Prishtinë, reagojnë ministrja e Arsimit dhe SBASHK-u

E.Hoti/RTKlive

(E plotësuar) Pas vrasjes së 63 vjeçares sot në Prishtinë ka reaguar edhe ministrja e arsimit,  Arbërie Nagavci si dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës.

Ministrja Nagavci theksoi se vrasja e grave dhe vajzave është një nga temat më të dhimbshme të shoqërisë sonë.

“Kosova sot u trondit nga lajmi për vrasjen e një gruaje nga bashkëshorti i saj në Prishtinë.

Ky lajm i rëndë, erdhi në kohën kur në shkollat e Kosovës, ora e parë e mësimit po i dedikohej parandalimit të dhunës ndaj gruas, si pjesë e Kampanjës ‘16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore’.

Këtë rast, e bën edhe më të rëndë fakti se kjo grua që u vra sot ishte mësimdhënëse në një shkollë të kryeqytetit dhe do të mungojë sot e përgjithmonë te nxënësit e saj”, ka  shkruar Nagavci në Facebook.

“Vrasja e grave dhe vajzave është një nga temat më të dhimbshme të shoqërisë sonë. Prandaj, ne si institucione, bashkë me të gjithë akterët tjerë, të kujdesemi më shumë, që ngjarje të tilla të mos ndodhin.

Po ashtu, të punojmë sot që t’i edukojmë fëmijët tanë, vajzat e djemtë, se e ardhmja do të jetë e sigurt vetëm si të barabartë dhe pa dhunë”, thekson më tej ministrja e Arsimit.

Lidhur me rastin tragjik ka reaguar edhe SBASHK-u.

“Me plot dhembje e trishtim morëm lajmin për rastin tragjik në familjen Godeni.

Dhembja shtohet për të gjithë punëtorët e arsimit ngase si pasojë e dhunës familjare, që ka nisur të bëhet përditshmëri, humbi jetën mësimdhënësja dhe anëtarja e devotshme e sindikatës sonë Sadije Godeni”, thuhet në reagim.

“Loti e dhembja jonë bëhet bashkë me dhembjen dhe lotin e punëtorëve arsimorë në shkollën ‘Dardania’ në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën. Të lutemi bashkë që ngjarje të tilla tragjike të mos ndodhin kurrë më”, thuhet më tej. 

Për vrasjen në Prishtinë, reagon ministrja e Drejtësisë

 (E plotësuar) Pas vrasjes që ndodhi sot në Prishtinë, ku një grua dyshohet se u vra më sëpatë nga bashkëshorti i saj, ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në një postim në llogarinë e saj në Facebook, ministrja Haxhiu ka deklaruar se kjo ngjarje shokuese, ka ndodhur në mëngjesin  e sotëm, derisa ishte rrugës drejt aktivitetit të parë të fushatës  “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”.

 “Ky lajm, kjo vrasje e rëndë, na pikëllon thellë të gjithëve”, deklaroi Haxhiu.

“Por ne do të gjejmë edhe më shumë forcë, drejt ngritjes së vetëdijes qytetare dhe përgjegjësisë institucionale. Drejt luftës ndaj dhunës. Drejt vënies së drejtësisë”, shkroi ministrja Haxhiu.

Krasniqi: Parandalimi i dhunës në familje të jetë prioritet shtetëror

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vrasjes që ndodhi sot në Prishtinë, ku një grua dyshohet se u vra më sëpatë nga bashkëshorti i saj.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të hartojnë për strategji të mirëfillta dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të luftuar fenomenin e dhunës në familje.

 Ai ka shktuar se është tragjik lajmi për vrasjen e arsimtares në Prishtinë.

“ Një punonjëse e përkushtuar e arsimit, e cila tërë jetën ia kishte dedikuar edukimit të shumë brezave. Fatkeqësisht, pak para pensionimit të saj, ajo sot ishte viktimë e dhunës në familje, fenomen që po përsëritet pa pushim në vendin tonë.

Koha është jo vetëm për strategji të mirëfillta, por edhe për veprime konkrete institucionale për parandalimin e dhunës në familje. Ky duhet të jetë prioritet i shoqërisë dhe shtetit tonë - për të cilin duhet të reagohet urgjentisht. Familjes së arsimtares Sadije, kolegëve e miqve të saj, u shpreh ngushëllimet më të thella!”, ka shkruar Krasniqi.

RrGK: Gratë po jetojnë në ambiente kërcënuese në Kosovë

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me vrasjen e sotme të një gruaje 63 vjeçare nga bashkëshorti 70 vjeçar.

Në reagimin dërguar mediave, RrGK thotë se në vazhdën e lajmeve të përditshme për ngacmime seksuale, dhunë me bazë gjinore, dhe përdhunime të vajzave, si dhe në ditën kur fillon fushata botërore ‘16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës ndaj grave’, "vrasja e 63 vjeçares në Prishtinë, vetëm se shpërfaq dhe thekson pasojat e rrënjosura të normave patriarkale dhe kulturore në kuadër të të cilave gratë vriten vetëm pse janë gra!"

RrGK thotë se gratë po jetojnë në ambiente kërcënuese në Kosovë.

“Masat rehabilituese për abuzues ende nuk ekzistojnë dhe viktimat e dhunës me bazë gjinore vazhdojnë të mbesin pa rrugëdalje nga dhuna e përsëritur. Njëherit, punësimi i grave dhe trashëgimi i pronës mbesin ndër më të ulëtat në Ballkan dhe kjo i mban gratë të lidhura në ambiente abuzuese. Vlerësimet e rrezikshmërisë nga ana e zyrtarëve policorë janë të dobëta dhe pasojnë me raste recidiviste.

Dënimet nga gjykatat vazhdojnë të jenë të ulëta dhe absurde duke rikthyer në gjykim personat përgjegjës për vrasje brutale të grave dhe duke u dhënë të njëjtëve rrethana lehtësuese përgjatë procedurës penale.

Kjo hallkë e rrethanave, sipas RrGK-së na tregon se "vrasja e grave vjen si pasojë e dështimit institucional, social e kolektiv, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore si çështje parësore, në kuadër të sundimit të ligjit dhe qasjes në drejtësi”.

“Neni 173 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, qartazi e ka të caktuar dënimin për Vrasjen e Rëndë, ku thuhet se personi që shkakton vrasjen e anëtarit të familjes apo të fëmijës, dënohet me burgim të përjetshëm", thuhet në reagimin e RRGK-së.

 RrGK kërkon që të shqiptohet masa ndëshkuese maksimale dhe të mos merren në konsideratë si masa lehtësuese dorëzimi i tij në polici dhe mosha e dhunuesit, siç është praktikë të konsiderohen këto të fundit nga gjykatat.

Arrestohet një person, dyshohet se vrau gruan e tij me sëpatë

Një person 70 vjeç është arrestuar nga Policia nën dyshimin se në orët e hershme të mëngjesit ka vrarë me sëpatë gruan e tij 63 vjeçare. Rastin e ka konfirmuar nëpërmjet një komunikate për medie edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila njofton opinionin publik se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar personi me inicialet I.G. (1952).

Sipas Prokurorisë, i arrestuari dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” sipas KPRK-së.

Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:40 në Rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë. Në njoftim thuhet se vet autori i krimit ka shkuar në Stacionin Policor Qendra dhe ka paraqitur rastin.

“Është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë) në shtëpinë e tyre. Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pa jetë”, thuhet në njoftim.

Aktualisht, sipas prokurorisë, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

“Në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Vrasje e rëndë në Prishtinë, dyshohet se burri e vrau gruan e tij

Një vrasje e rëndë ka ndodhur sot në Prishtinë në orët e para të mëngjesit, ku një burrë dyshohet se e ka vrarë gruan e tij.

Rastin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

 Ai ka konfirmuar se është dërguar në mbajtje një person i dyshuar për vrasje të rëndë.

“Sot rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën për një trup të pa jetë në një shtëpi në rrugën "Mark Isaku" në Prishtinë. Bazuar në hetimin preliminar si dhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar vrasje e rëndë”, ka thënë Borovci.

Lidhur me rastin është vetëdorzuar një personi i dyshuar I. G, mashkull 70 vjeç.

“Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit, është intervistuar dhe i njëjti është dërguar në qendrën e ndalimit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës, femër 63 vjeç, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, ka njoftuar Borovci.

 


MË SHUME NGA Kronika