Me 1 e 2 dhjetor, seancë ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt në Hagë
Foto: RTKlive
Kosovë

Me 1 e 2 dhjetor, seancë ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt në Hagë

Jeton Musliu/RTKlive

Javën që vjen, përkatësisht të enjten e të premten, me 1 e 2 dhjetor, do të mbahet seanca në Apel, që funksionon në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në këtë seancë gjyqësore, do të shqyrtohet rasti ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Bazuar në njoftimin e Dhomave të Specializuara, sipas rendit të ditës të caktuar nga Paneli i Apelit, më 1 dhjetor, secilit ekip do t’i jepet mundësia të paraqesë gojarisht argumentet.

“Më 2 dhjetor, do t’i jepet mundësia prokurorisë të përgjigjet dhe ekipeve të mbrojtjes të kundërpërgjigjen”, sqarojnë Dhomat e Specializuara, raporton RTKlive.

“Gjithashtu Gucati dhe Haradinaj, nëse dëshirojnë, mund t’i drejtohen personalisht Panelit të Apelit”.

Më 18 maj 2022, është shpallur aktgjykimi ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ku trupi gjykues i  shpalli ata fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

 Gucati e Haradinaj  apeluan ndaj vendimit, me anë  të  së  cilit, ishin dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me nga 100 euro gjobë.

 

 


MË SHUME NGA Kosovë