Në Gjilan vihet gurthemeli i shtatores së heroit Ramiz Cernica
Foto: Komuna e Gjilanit
Kosovë

Në Gjilan vihet gurthemeli i shtatores së heroit Ramiz Cernica

M.Shefkiu/RTKlive

Në prag të 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në Gjilan është vendosur gurthemeli i shtatores së heroit kombëtar dhe tribunit të rajonit të Anamoravës, Ramiz Cernica. Cermonia është organizuar nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, ku pos familjes së heroit, kanë marrë pjesë edhe personalitete nga niveli lokal e qendror dhe nga Maqedonia e Veriut.

Hyseni tha me këtë rast se ndihet i privilegjuar që si pushtet lokal dhe qeverisje e re, në cilësinë e kryetarit të Komunës, të vendosë gurthemelin e njërit prej figurave më të mëdha të historisë së popullit shqiptar.

“Që në moshë të re, Ramiz Cernica, i frymëzuar dhe edukuar nga babai i tij dhe nga tradita patriotike e familjes dhe popullit të tij shqiptar, hyri në lëvizjen kombëtare, për t’i qëndruar besnik deri në vdekje idealeve të larta të lirisë. Për veprimtarinë e tij patriotike, ai u ndoq dhe u persekutua tërë jetën, u burgos dhe u dënua disa herë, madje edhe me 20 vjet burgim, por kurrë nuk u thye e as nuk u gjunjëzua”, ka thënë Hyseni.

Përfaqësuesi i Këshillit organizativ, Ismet Sylejmani, tha se janë  të gjithë bashkë për të nderuar një gjigant për qëndrimin e tij madhor me dinjitet të lartë kombëtar e me guxim epik të pashembullt. 

Në emër të Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, i cili tha se kjo ngjarje është madhështore jo vetëm për Gjilanin, Karadakun e Gollakun, por për të gjitha trojet shqiptare.

“Ramiz Cernicën, përveç që e patëm në qenien tonë shpirtërore, të veprimtarisë madhështore patriotike, sakrificës e heroizmit unikal si dhe idealin e lirisë, sot atë po e rikthejmë në mesin tonë edhe të skalitur në bronz, me shtatoren madhështore”, është shprehur zëvendësministri Syla.

Deputeti i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti, ka thënë se në këtë ngjarje ka dy gëzime.

“Gëzimin e parë e kam sepse gëzohet Rexhep Mala e Nuhi Berisha për vendosjen e këtij tribuni këtu, ndërkaq gëzimi i dytë është rinia, djalëria nuk e harron historinë, por ngrit shtatore të derdhur në bronz për Ramiz Cernicën”, ka thënë Ahmeti.

Në emër të familjes së heroit Ramiz Cernica, ka folur djali i tij, Abdyl Hoxha, i cili ka falënderuar strukturat komunale për përkrahjen dhe vendosjen e kësaj shtatore. ​Ramiz Cernica ishte anëtar i Kuvendit të Kosovës në Prizren më 1945 dhe njëri nga figurat kryesore që ka marrë pjesë gjithandej  lëvizjes shqiptare në Kosovë.


MË SHUME NGA Kosovë