Brazil-Zvicër, kryefjala e ditës së sotme në Botëror
B. H. / RTKlive
Botërori i jashtëzakonshëm “Katari 2022” vazhdon sot me katër ndeshjet e fundit të xhiros së dytë në grupet G dhe H, e ku pa dyshim vëmendjen e opinionit në Kosovë e tërheq dueli ndërmjet Brazilit dhe Zvicrës, që zhvillohet prej orës 17:00.
Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka në ndeshjen e parë iu gëzuan fitores ndaj Kamerunit dhe tani një rezultat pozitiv kundër “Seleçaos” do t’i afronte drejt arritjes në mesin e 16 ekipeve më të mira të këtij turneu.
Ditën do ta hapin Serbia dhe Kameruni nga ora 11:00. Këto dy ekipe pësuan humbje në xhiron e parë nga Brazili dhe Zvicra, andaj të dyja si objektiv në këtë duel e kanë fitoren, prandaj edhe pritet lojë mjaft interesante.
Nga ora 14:00 do të fillojë ndeshja në Grupin H, ku përballen Koreja e Jugut dhe Gana. Koreanët morën një pikë ndaj Uruguait, ndërsa Gana humbi ndaj Portugalisë, por pati një paraqitje shumë të mirë.
Ndërkohë, ditën e sotme në Botëror do ta mbyllin Portugalia dhe Uruguai, me përballjen e tyre nga ora 20:00. Kjo do të jetë një reprizë e fazës së 16-tës së Botërorit të kaluar. Katër vjet më parë në Rusi, fitores iu gëzuan uruguaianët.























