Mjeku dhe familjarët e vajzës autike, dënohen me nga 30 ditë paraburgim
Foto: GJTHGJ
Kronika

Mjeku dhe familjarët e vajzës autike, dënohen me nga 30 ditë paraburgim

M.Shefkiu/RTKlive

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore duke i caktuar masën e paraburgimit prej tridhjetë ditësh mjekut (logoped-defektolog), i cili ka keqtrajtuar një fëmijë autik në ordinancën e tij private . Po ashtu, gjykata nga 30 ditë paraburgim u ka shqiptuar edhe sulmuesve të mjekut, që në këtë rast janë babi i fëmijës dhe shoqëruesi i tij.

Sipas njoftimit të Gjykatës, ekziston dyshimi bazuar se i pandehuri  mjeku I. F, me datë 26 nëntor 2022, në ordinancën private, në cilësinë e mjekut Defektolog –Logoped, haptas ka përdorur metoda të pa përshtatshme për trajtim  duke  mos zbatuar rregullat e profesionit të logopedit.

“Gjatë seancës për trajtim të fëmijët të moshës 3 vjeçare, me gjendje të autizmit, ndaj të njëjtës ka përdorur fjalë të ndryshme ofenduese dhe degraduese, kështu që i pandehuri me veprimet e tij bie ndesh me Ligjit mbi Shëndetësinë, duke mos iu përmbajtur parimeve etike dhe profesionale gjatë ushtrimit të kujdesit shëndetësor, përmes të cilave ka ndikuar në  keqësimin e gjendjes  shëndetësore të fëmijës”, thuhet në njoftim.  

Me këto veprime, sipas Gjykatës, i pandehuri I.F. dyshohet se ka kryer veprën penale trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Të pandehurit I. Sh. dhe R. V. më datë 26 nëntor 2022, rreth orës 12.52 minuta, në lokalin që ndodhet në rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan, në bashkëkryerje dhe me përdorimin e dhunës, për shkak të trajtimit të pandërgjegjshëm të fëmijës me autizëm, me dashje i kanë shkaktuar lëndime trupore të pandehurit tani të dëmtuarit I. F”, thuhet në njoftim.  

Po ashtu prindi i fëmijës, I. Sh., i revoltuar nga sjellja e mjekut, hynë dhe i drejtohet të dëmtuarit duke e fyer me fjalë të ndryshme ofenduese, e më pas e sulmon duke e goditur me grusht në fytyrë.

“Në atë moment ndërhyn edhe i  pandehuri R. V.,duke e kapur të dëmtuarin për krahu duke e mbajtur nën kontroll, e më pas duke e tërhequr zvarrë për të nxjerrë jashtë lokalit, ku gjatë kësaj tërheqje i dëmtuari rrëzohet për toke dhe të dy të pandehurit e godasin me grushte dhe shkelma në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet më tej në njoftimin e gjykatës.

Të pandehurit me këto veprime dyshohet të kenë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas gjyqtarit të procedurës paraprake, qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, ngase masat tjera alternative, siç thuhet në njoftim, do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale. “Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij vendimi mbi caktimin e paraburgimit në Gjykatën e Apelit”, përfundon njoftimi.


MË SHUME NGA Kronika