Zvicra mposhtet nga Brazili, ndeshja me Serbinë përcaktuese për garën
Uran Krasniqi/RTKLive
Për Brazilin më nuk diskutohet kalimi i grupit në Botërorin "Qatar 2022".
Latinoamerikanët e kanë zgjidhur problemin e kalimit në fazën nokaut me fitoren ndaj Zvicrës në ndeshjen e zhvilluar të hënën, ndërsa Zvicra do të duhet të luftojë me Serbinë pët të kaluar në fazën tjetër të garës.
Brazilianët kanë fituar me rezultat minimal 1-0.
Ka qenë minuta e tetëdhjetë e tretë kur Casemiro ka realizuar. Futbollisti i Manchester United ka shënuar nga afërsia pasi e ka pranuar një top nga Rodrygo.
Paraprakisht skuadrës së trajnerit Tite VAR ia ka anuluar një gol.
Në minutën e gjashtëdhjetë e katërt Vinicius ka realizuar me kundërsulm, por gjyqtarët kanë konstatuar se më herët kishte pozicion jashtë loje.
Brazili pos me gola e ka dominuar ndeshjen edhe me posedim të topit, me gjuajtje drejt portës dhe me statistika të tjera.
Brazili tashmë e merr kryesimin e grupit G me gjashtë pikë. Në vendin e dytë gjendet Zvicra me tri pikë, kurse Kameruni dhe Serbia kanë vetëm nga një pikë.
Në xhiron e fundit pritet të takohen edhe Brazili me Kamerunin.
Brazili dhe Zvicra shkojnë në pushim pa gola
Brazili dhe Zvicra e kanë mbyllur pa gola pjesëlojën e parë të ndeshjes e cila i përket xhiros së dytë të Grupit G në kuadër të Botërorit "Katar 2022".
Brazilianët kanë dominuar me poesdim të topit në përballjen e zhvilluar në "Stadium 974", por pa qenë në gjendje që atë përparësi ta kthejnë edhe në gol.
Deri tash të dy kombëtaret kanë arritur nga një fitore në grup.
Brazili konsiderohet një nga favoritët për ta fituar Botërorin.
Nis ndeshja Brazil-Zvicër
Ka nisur ndeshja Brazil-Zvicër, e cila i përket xhiros së dytë të Grupit G në kuadër të Botërorit "Katar 2022".
Ndeshja tjetër e grupit e zhvilluar sot mes Kamerunit dhe Serbisë ka përfunduar baraz me rezultat 3-3.
Momentalisht grupin e bashkëkryesojnë pikërisht Brazili dhe Zvicra me nga tri pikë, derisa Kameruni dhe Serbia kanë vetëm nga një pikë.
Në xhiron e fundit pritet të takohen Brazili me Kamerunin dhe Zvicra me Serbinë.























