Mirënjohje për gratë luftëtare të Zonës Operative të Drenicës
Foto: Komuna e Skenderajt
Kosovë

Mirënjohje për gratë luftëtare të Zonës Operative të Drenicës

K.Kasumi/ RTKlive

Me aktivitete të shumta, organizuar nga komuna e Skenderajt, është shënuar sot 28 Nëntori - Dita e Flamurit dhe ngjarjet e tjera historike të lidhura me figura të ndritura të kombit tonë si Skënderbeu, Ismail Qemali, komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, ka njoftuar Komuna e Skenderajt.

Sipas njoftimit delegacioni i komunës, i udhëhequr nga kryetari Fadil Nura, nënkryetari Sami Lushtaku, zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, deputetë të Kuvendit të Kosovës, drejtorë komunalë, anëtarë të Kuvendit Komunal, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë, kanë marrë pjesë paradite në homazhe, të cilat janë bërë te shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari në Skenderaj, për të vazhduar më pas në Kompleksin Përkujtimor në Prekaz dhe në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë.

Në mesditë është mbajtur ceremonia e ndarjes së mirënjohjeve për gratë luftëtare të Zonës Operative të Drenicës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe doktoreshat e infermieret e Spitalit Ushtarak në kuadër të kësaj zone. Në fjalimin e tij, kryetari Nura ka falënderuar veteranet dhe mjeket për kontributin e tyre në luftë, duke luftuar për lirinë e vendit dhe duke ua ofruar ndihmën ushtarëve dhe civilëve të plagosur.

Edhe nënkryetari Lushtaku, që ishte komandant i Zonës Operative të Drenicës, duke iu drejtuar bashkëluftëtareve të tij, i ka falënderuar ato për angazhimin e madh në luftën për lirinë e popullit të Kosovës. Ai i ka falënderuar edhe mjeket dhe infermieret e Spitalit Ushtarak për angazhimin e tyre për shërimin e plagosurve.

Gjatë ditës, në kuadër të shënimit të festave të nëntorit, është organizuar maratona e vrapimit në gjatësinë e 28 kilometrave, ku janë shpërblyer tri vendet e para në dy konkurrencat.

Aktivitetet kanë përfunduar me natën finale të Festivalit Folklorik Gjithëkombëtar “Rapsodia Shqiptare Skenderaj 2022”, që u mbajt në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina”, ku për tri net me radhë kanë marrë pjesë mbi 45 grupe folklorike e rapsodë nga mbarë trevat shqiptare.

Juria profesionale, pas vlerësimit të secilës paraqitje, fitues të festivalit nxori Grupin Polifonik “Thesare Labe” nga Tirana, i cili fitoi Kullën e Jasharëve, çmimin kryesor, ndërsa me vendin e tyre u vlerësua Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” nga Ferizaj, kurse vendi i tretë iu nda dy shoqërive artistike ShKA “Dibra” dhe Ansambli “Drenica” nga Skenderaj.

Çmimin kryesor e dha Rifat Jashari, të dytin kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura, të tretin Musa Jashari. Pati edhe çmime të tjera të këtij festivali tashmë tradicional të cilat u ndanë me mirënjohje për kontributin e grupeve folklorike dhe rapsodët nga mbarë trevat shqiptare.

Mund të jetë një imazh i 6 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të jashtmeMund të jetë një imazh i 10 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të jashtme


MË SHUME NGA Kosovë