Ministri Mehaj mori pjesë në konferencën e ‘Kartës së Adriatikut’
BKT
Foto: Ministria e Mbrojtjës
Kosovë

Ministri Mehaj mori pjesë në konferencën e ‘Kartës së Adriatikut’

J.Musliu/RTKlive

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj mori pjesë në konferencën e ‘Kartës së Adriatikut’.

Me ftesë të ushtruesit të detyrës së ministrit të Mbrojtjes të Malit të Zi, Filip Adziq, Mehaj  në fjalimin e tij, ftoi të gjitha shtetet anëtare të Konferencës për mbështetjen e tyre në iniciativën  që Kosova t'i bashkohet kësaj nisme, si anëtarë të barabartë, me të drejta të plota. 

“Misioni i iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut është afrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor me proceset integruese në NATO, me synimin përfundimtar rritjen e sigurisë rajonale dhe forcimin e partneritetit ndër fqinjësor”, ka deklaruar Mehaj.

“Prandaj, ne e vlerësojmë shumë ftesën tuaj në këtë takim dhe në të njëjtën kohë, ftojmë të gjitha shtetet të na mbështesin në iniciativën tonë që t'i bashkohemi kësaj nisme, si anëtarë të barabartë, me të drejta të plota”.

Ministri Mehaj në fjalën e tij, deklaroi se vizioni i Republikës së Kosovës është promovim i stabilitetit dhe sigurisë, jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për rajonin, Evropën dhe më gjerë.

Gjithashtu, Ministri Mehaj në fjalën e tij të potencoi se Kosova është e përkushtuar që të jetë pjesë e strukturave rajonale dhe globale të sigurisë, në veçanti OKB-së, BE-së, NATO-s dhe OSBE-së, dhe e  angazhuar drejt integrimit të plotë në nismat rajonale dhe promovimit të marrëdhënieve paqësore fqinjësore me qëllim rritjen e stabilitetit dhe ruajtjen e paqes.

Më tej, ministri Mehaj deklaroi pas zhvillimeve të fundit, kur vlerat e demokracisë janë sfiduar nga një doktrinë agresive nga Rusia ndaj Ukrainës, Kosova  mbetet  vigjilente për të koordinuar aktivitetet dhe për të treguar përkushtimin më të lartë për të punuar së bashku me partnerët dhe aleatët.

“Presim me padurim partnerët që të aplikojnë një qasje integruese të Ballkanit Perëndimor në BE, dhe në veçanti përkrahjen për integrimin e Kosovës në NATO”.

 Ministri Mehaj renditi të arriturat gjatë rrugëtimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, proceset aktuale zhvillimore në avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale, si dhe objektivat strategjikë për të ardhmen, me fokus përgatitjet për pjesëmarrjen në stërvitjen më të madhe të forcave amerikane me forcat aleate “Defender Europe 23”.

 


MË SHUME NGA Kosovë