Kur varfëria e shndërron jetën në barrë
BKT
Foto: RTK
Kosovë

Kur varfëria e shndërron jetën në barrë

Ardiana Hajzeri /Radio Kosova

Shumë familje në Kosovë përballën me kushte të rënda ekonomike. Megjithatë, zyrtarisht këtë vit, numri i familjeve me asistencë sociale ka shënuar rënie. Drejtues të institucioneve shpjegojnë se ashpërsimi i kritereve për dhënien e asistencës sociale, ka bërë që ky numër të ulët.

Dera hapet ngadalë nga një grua e cila të mirëpret në shtëpinë e saj. Në fakt, shtëpia e saj është veç një barakë. Ajo nuk dëshiron t’i përmendet emri, por të fton në vendin ku jeton prej 36 vjetësh. Rrëfen për kushtet e vështira ku ka rritur tre fëmijët e saj.

Për të siguruar kafshatën e bukës për familjen, ajo rritë qenë të llojeve të racave të ndryshme, të cilët më pas i shet.

Ajo flet me dhëmbje e  mllef për jetën  në barakat pranë shkollës “Ismail Qemali”, në Prishtinë. Derisa tregon ambientin se në çfarë kushtesh jeton, kjo grua, nënë vetushqyese, së cilës bashkëshorti i ka vdekur dhjetë vjet më parë, thotë se nuk merr as asistencë sociale nga shteti.

 “Po shihet çfarë kushtesh janë”, thotë ajo në bisedë për Radio Kosovën. “Po çfarë sociali, s’vjen kush të të shikojë”, thotë ajo, kur pyetet nëse ka ndihmë nga shteti. “Unë jetoj veç me dy fëmijët. Të ardhura s’kemi, veç kur gjejmë punë ngapak”, rrëfen ajo. 

Tregon se tash as me qenë nuk ka fitim. “Janë mbushë rrugët plot. E vajza nganjëherë punon te një frizerkë, e unë për momentin s’jam duke punuar”.

Ajo tregon edhe për periudhën e motit të ftohtë, kur nuk mund të sigurojnë as gjërat elementare për jetesë.

 “Dërrasa e rrëngalla kemi mbledhur me djalin, çfarë na kanë dhënë njerëzit. Për Zotin, s’kam mundësi as dru të blej”.

E më të lehtë, nuk e ka as një nënë tjetër, e cila jetën e kalon në kompleksin banesor të “Fusha e Pajtimit” në Prishtinë, banesë të cilën ia ka dhënë në shfrytëzim Komuna e Prishtinës.

Edhe ajo nuk dëshiron t’i përmendet emri, por derisa lotët sikur  i flasin më shumë sesa fjalët, tregon se djali i saj është detyruar të ndërpresë shkollimin për të siguruar ekzistencën për familjen.

“Na kanë dhënë katër mure e thonë; ua kemi dhënë banesat. Por muret nuk hahen”, tregon ajo në bisedë për Radio Kosovën, derisa lotët i shkojnë për faqe.

“Djali e ka ndërprerë shkollën. Po mundohet të punojë nga 12 orë në ditë që të na mbajë. Nuk po kam nga t’ia mbaj”.

Për shkak të sëmundjes që ka, kjo nënë detyrohet të blejë ilaçe për të cilat i duhen para. Përveç vështirësive që ka në sigurimin e tyre, ajo përballët edhe me mungesë të gjërave ushqimore.

E nën anën tjetër, Adelina Sahiti, drejtoreshë për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, i tha Radio Kosovës se komisioni që është formuar nga Komuna e Prishtinës, nga  Drejtoria e Pronës, do të bëhet verifikimi i familjeve që shfrytëzojnë këto banesa, pasi ka një kohë që nuk është bërë verifikimi i këtyre familjeve.

 “Janë disa familje duke qëndruar në këto hapësira”, thotë Sahiti. “Komuna e Prishtinës ka formuar një komision  nga Drejtoria e  Pronës. Ky komision ka dalë në terren për të verifikuar sa familje do të qëndrojnë, cili është statusi i tyre dhe a është zgjidhur statusi i tyre”, tregon ajo për Radio Kosovën. “Në fund do të dalin me rezultate se si do të veprohet tutje.”

Kosova është një ndër vendet më të varfra në Evropë, me shkallë të lartë të papunësisë prej rreth 26%.

Gjithashtu,  23% e popullsisë jeton në kufirin e varfërisë. Sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, aktualisht janë 23 mijë e 661 familje jetojnë me asistence sociale.


MË SHUME NGA Kosovë