Arrestohet një serb i dyshuar për pjesëmarrje në masakrën e Dubravës
Kronika

Arrestohet një serb i dyshuar për pjesëmarrje në masakrën e Dubravës

E.Hoti/RTKlive

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një serb me inicialet G.M, i dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile, konkretisht në masakrën e Dubravës.

Policia ka njoftuar se ka zhvilluar hetime për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe ka pranuar informacionin për të dyshuarin.

“Policia e Kosovës, respektivisht Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim dhe me autorizim të Prokurorisë Speciale, ka zhvilluar hetime lidhur me krimet e kryera gjatë periudhës kohore të viteve 1998/99 në Kosovë, ku përmes rrugëve hetimore- operative ka pranuar informacion për një të dyshuar potencial si pjesëmarrës në këto krime, konkretisht në masakrën e Dubravës në maj 1999”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Më 1 dhjetor i dyshuari është intervistuar dhe me aktvendim është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorisë Speciale.

“Policia e Kosovës, me datën 01.12.2022, ka shoqëruar të dyshuarin mashkull kosovar serb, G. M. (1958) në Polici për intervistim dhe procedura të mëtejme. Në konsultim me prokurorin kompetent i dyshuari i lartcekur është intervistuar në prezencë të avokatit të tij të siguruar sipas detyrës zyrtare, nën dyshimin se i njëjti është përfshirë në veprën penale ‘krime lufte kundër popullsisë civile’”, thuhet tutje në njoftim.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.


MË SHUME NGA Kronika