KQZ mbyll afatin për zgjedhjen e asamblistëve në Zveçan e Leposaviq
J.Musliu/RTKlive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është përmbyllur afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit.
Këto zgjedhje do të mbahen më 25 dhjetor 2022. Gjatë kësaj periudhe (26 nëntor – 02 dhjetor 2022), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 2 aplikime për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje për komunën e Zveçanit dhe 3 për komunën e Leposaviqit.
Sipas afateve të miratuara nga KQZ-ja, procesi i vendimmarrjes për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve do të ndodhë deri më 6 dhjetor 2022.
Kështu, nga PDK-ja, janë 16 kandidatë për Kuvendin Komunal të Zveçanit e 4 për Leposaviq.
Lëvizja Vetëvendosje garon me 10 kandidatë për Zveçan e 2 kandidatë për Kuvendin Komunal të Leposaviqit.
Ndërkohë, Partia e Serbëve të Kosovës garon me 20 kandidatë për Kuvendin Komunal të Leposaviqit por me asnjë për atë të Zveçanit.