Kameruni mposht Brazilin në moment kur s`i bën punë
Uran Krasniqi / RTKLive
Kameruni ka fituar kundër Brazilit, por megjithatë skuadra afrikane do të kthehet në shtëpi. Kjo pasi as fitorja e sontme nuk i kryen punë për ta vazhduar qëndrimin në Katar.
Duke qenë se latinoamerikanët e kishin zaptuar pozitën e parë të Grupit G me gjashtë pikë, fitorja e sontme e Zvicrës bën që helvetikët të zënë vendin e dytë me pikë aq sa kanë brazilianët, ndërsa kamerunasit kanë fituar vetëm vendin e tretë në renditje me katër pikë, gjë e cila është e pamjaftueshme për ta vazhduar garën.
Kamerunasit kanë fituar 1-0 në një ndeshje të dominuar nga brazilianët.
Golin për afrikanët e ka shënuar Aboubakar në minutën e fundit të ndeshjes.
Paraprakisht Kameruni kishte humbur nga Zvicra dhe kishte barazuar me Serbinë.
Pas rezultateve të sontme në grup Brazili prinë me 6 pikë, e pasuar nga Zvicra gjithashtu me gjashtë pikë, ndërsa Kameruni gjendet në vendin e tretë dhe ka katër pikë. Krejt në fund është Serbia vetëm me një pikë.
Nuk ka gola në pjesëlojën e parë të ndeshjes Brazili - Kameruni
Ka përfunduar pa gola pjesa e parë e ndeshjes Brazili - Kameruni, e vlefshme për xhiron e fundit të Botërorit "Qatar 2022".
Brazilianët kanë poseduar larg më shumë topin, kanë krijuar raste për gol më shumë, por megjithëkëto gol nuk ka pasur.
Brazili tashmë e ka siguruar kalimin e grupit, pasi ka gjashtë pikë nga ndeshjet e kaluara. Kameruni e ka të domosdoshme fitoren për të arritur që ta shqyrtojë kalimin e grupit.
Nis ndeshja Brazili - Kameruni
Ka nisur ndeshja mes Brazilit dhe Kamerunit, e vlefshme për xhiron e tretë të Botërorit "Qatar 2022". Brazili dhe Kameruni janë pjesë e Grupit G.
Brazili ka gjashtë pikë dhe ka kaluar grupin, ndryshe nga Kameruni që duhet të fitojë e pastaj në rast barazimi të Zvicrës me Serbinë, të krahasohet goldallimi me Zvicrën dhe të mësohet se kush shkon tutje.
Në të njëjtën kohë po zhvillohet edhe ndeshja tjetër e Grupit mes Zvicrës dhe Serbisë.
Brazili - Kameruni, formacionet
Brazili dhe Kameruni ndeshen sonte në një përballje që përket te xhiroja e tretë e Botërorit "Qatar 2022". Tashmë janë publikuar edhe formacionet.