Sahiti i kërkon presidentes medalje për Shaqirin e Xhakën
Uran Krasniqi / RTKLive
Ish-futbollisti dhe trajneri i futbollit, Muharrem Sahiti, ka një kërkesë për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ai do që dy futbollistët me origjinë nga Kosova që luajnë për Zvicrën, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, të marrin medalje.
Sahiti propozimin e tij e ka bërë nga studio e RTK-së, ku ka qenë i ftuar për komentimin e ndeshjes Zvicër-Serbi, të cilën e ka fituar Zvicra, duke e lënë Serbinë jashtë garës, ndërsa Xhaka e Shaqiri kanë treguar paraqitje të mirë.
"Është mirë që presidentja e Kosovës t'i dekorojë Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin me medalje për përfaqësim dinjitoz si shqiptarë", ka thënë Sahiti. " Ata dy e kanë nënshkruar edhe peticionin e FFK-së për pranim në UEFA dhe FIFA kur FFK-ja bënte përpjekje për pranim në këto institucione".