Për vrasjen e shtatzënës, IPK kërkon suspendimin e katër policëve
Kronika

Për vrasjen e shtatzënës, IPK kërkon suspendimin e katër policëve

M.Shefkiu/RTKlive

Pas vrasjes së gruas shtatzënë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka reaguar Inspektorati Policor i Kosovës, i cili rekomandon suspendimin e katër zyrtarëve policorë të Stacionit të Policisë në Lipjan. Në mesin e atyre që duhet suspenduar, sipas IPK-së, është edhe komandanti i këtij stacioni, një rreshter dhe dy hetues.

Katërshja që duhet largohet nga puna, sipas IPK-së, lidhet me zbatimin e urdhrit-mbrojtës që Gjykata Themelore e Ferizajt kishte lëshuar për Hamide Magashin, e cila të mërkurën u vra nga bashkëshorti i saj, Sokol Halili, i cili edhe vet bëri vetëvrasje.

Inspektorati Policor i Kosovës, sipas njoftimit për media, thotë se menjëherë ka filluar hetimin paraprak  mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që  policia ka trajtuar ndaj të dyshuarit Sokol Halili, për "Dhunë në familje" dhe "Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës".

“Hetuesit e IPK-së, si rezultat i ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, kanë arritur deri tek dyshimi i arsyeshëm, se lidhur me zbatimin e Urdhrit-mbrojtës nga ana e zyrtarëve te Stacionit Policor Lipjan, ka elemente të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”. Nga veprimet hetimore deri më tani si të dyshuar për këto vepra janë katër zyrtarë policorë  të Stacionit Policor në Lipjan (Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues)”, thuhet në komunikatën e IPK-së.

Andaj,sipas IPK-së, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, “bazuar në autorizimet ligjore nga IPK është rekomanduar suspendimi i këtyre zyrtarëve policorë”.

Veprimet tjera hetimore, IPK thotë se do të ndërmerren nga  hetuesit në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.


MË SHUME NGA Kronika