Vjedhja e 2.1 milionë eurove të Thesarit, 21 vjet burg për L.G e K.SH
BKT
Kosovë

Vjedhja e 2.1 milionë eurove të Thesarit, 21 vjet burg për L.G e K.SH

Emine Hoti/RTKlive

Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me 21 vite burg dhe 41 mijë e 500 euro gjobë, L.G dhe K. Sh. Ata u gjetën fajtor për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centëve nga Thesari i Shtetit.

I akuzuari L.G është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 11 (njëmbëdhjetë) viteve dhe dënim me gjobë në shumë prej 8.500 ( tetë mijë e pesëqind ) euro për veprat penale.

Ai  obligohet  ta paguajë gjobën në afatin prej 30 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, dhe po ashtu i shqiptohet dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose ne shërbimin publik për periudhën 6 vjeçare, nga dita kur aktgjykimi të marrë formën e prerë.

I akuzuari K.SH është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 10 (dhjetë) vite dhe dënim me gjobë në shumë prej 33.000( tridhjetë e tre mijë euro).

Gjobën është i obliguar që ta paguajë në afatin prej 30 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Gjykata deklaron se konform nenit 79 paragrafi 1 të KPK-së të pandehurit L.G i llogaritet koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 20.10.2020, ndërsa të pandehurit K.SH nga data 26.10.2020, të pandehurve L.G dhe K.SH iu vazhdohet paraburgimi deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi por jo më shumë se dënimi i shqiptuar.

Gjithashtu, me aktgjykim,  konfiskohet dobia pasurore e fituar nga vepra penale që gjendet në posedim të palës së tretë konkretisht mjetet monetare të ngrira sipas urdhëresës së gjykatës si mjete të cilat kanë rrjedhë nga aktiviteti kriminal i të pandehurve dhe të njëjtat transferohen në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, konfiskohet dobia pasurore e fituar nga vepra penale që gjendet në posedim të palës së tretë, konkretisht mjetet monetare të arkëtuara nga bankat komerciale për pagesën / mbylljen e kredisë apo overdraftit (mbitërheqjes), mjete të cilat rrjedhim nga aktiviteti kriminal i të pandehurve dhe janë përdorur për të paguar obligime bankare dhe të njëjtat ri- kthehen / transferohen në buxhetin e Republikës së Kosovës,

Konfiskohet Automjeti i tipit “Audi A4”, Automjeti i tipit “Audi A5” Sport Back, Automjeti i tipit “Audi A%” Sport Back dhe Automjeti i tipit “Taureg”.

Sipas njoftimit, të pandehurit obligohen që të dëmtuarës Ministria Financave Punës dhe Transfereve – Thesari i Kosovës, në mënyrë solidare t’ia kompensojnë dëmin e shkaktuar deri në përmbushjen e përgjithshmen  të vlerës prej  2,077,995.90 euro duke mos përfshirë paratë e konfiskuara në afatin prej 90 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

“Obligohen të pandehurit që në mënyrë solidare të paguajnë shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare të kësaj Gjykate. Obligohen të pandehurit që në emër të paushallit gjyqësorë të paguajnë secili veç e veç shumën nga 300 €.Obligohen të pandehurit që në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit t’i paguajnë secili veç e veç shumën prej nga 50 euro të gjitha këto në afatin prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit, ankesa bëhet përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.


MË SHUME NGA Kosovë