Korrupsioni në prokurim
BKT
Foto: RTKlive
Kosovë

Korrupsioni në prokurim

Majlinda Doda/Radio Kosova

Prokurimi publik vazhdon të mbetet ndër fushat më problematike në luftimin kundër korrupsionit në Kosovë. Kështu vlerësojnë për Radio Kosovën, përfaqësues të shoqërisë civile, duke shtuar se paraja publike dhe mënyra e shpenzimi të saj, është problematike.

Sfidë për komunat e vendit mbetet pjesa e prokurimit publik, në veçanti në implementimin e ndryshëm të kontratave. Kështu thotë për Radio Kosovën, Mexhide Demolli, nga Organizata “Fol”, e që sipas saj, një nga fushat më problematike për sa i përket korrupsionit në nivel vendi, është prokurimi publik.

 “Pavarësisht që ne kemi arritur që të kemi një sistem elektronik, e- prokurimi, prapë vazhdojmë që të kemi problem për sa i përket dhënies së tenderëve në fusha të ndryshme”, thotë Demolli për Radio Kosovën.

“Ndonëse në këtë vit ka pasur shumë më pak investime dhe si pasojë edhe shumë më pak kontrata të nënshkruara për shkak të problemeve që kanë ndodhur me Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik”, thotë ajo.

“Por në nivel lokal, kryesorja për sa i përket korrupsionit, vazhdon të jetë prokurimi publik”.

Komunat vazhdimisht kanë bërë pagesa për punë të cilat nuk janë kryer, vlerëson Diell Haxhimusa, nga organizata INPO, që monitoron punën e komunave në nivel vendi. Duke folur për Radio Kosovën ai thotë se pjesa e menaxhimit të kontratave, është një ndër më problematiket.

 “Edhe pse me vështirësi të mëdha në planifikim, disi kanë arritur me ia dalë, mirëpo pjesën ku komunat më së shumti kanë pasur problem është pjesa e menaxhimit të kontratave”, thotë Haxhimusa për Radio Kosovën.

“Komunat vazhdimisht kanë bërë pagesa për punë të cilat nuk janë kryer, këtë gjetje e kemi parë pasi kemi dalë në terren dhe i kemi parë punët që janë kryer por që nuk kanë qenë në të njëjtën frymë me ato që janë nënshkruar fillimisht”.

“Ka gjetje të ndryshme në komuna të ndryshme e vërehen edhe ndryshimet e çmimeve, ku për punë të njëjta në disa komuna paguhen më shumë, e në disa komuna paguhen më lirë”, tregon Haxhimusta.

Këto dhe shumë çështje të tjera, do të ngritën në diskutimet në Javën e Korrupsionit, thotë Haxhimusa. Ndryshe, INPO monitoron 20 komuna në prokurimin publik, përfshirë këtu edhe komunat me shumicë serbe, ku sipas Haxhimusës, të njëjtat probleme janë edhe aty, sidomos në pjesën e menaxhimit, ku problemet janë më të mëdha.

 

 


MË SHUME NGA Kosovë