Policia mbyll 44 sallone të masazheve
V.Thaçi / RTKlive
Policia e Kosovës njofton se gjatë një gjatë një operacioni ka inspektuar 53 sallone të masazheve, në bashkëpunim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, ATK-në dhe Inspektoriatin e Punës.
“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore me qëllim të marrjes së masave proaktivedhe verifikimin e informatave në terren ka hartuar një plan operativ në funksion të inspektimit të salloneve të masazheve, plan i cili është realizuar në bashkëpunim dhe mbështetje të inspektoreve nga MINT, ATK dhe Inspektorët e punës. Me datë 07.12.2022, Plani Operativ i koduar “Masazh- Dhjetori -2022”, është realizuar në nivel vendi dhe ka përfunduar me sukses të plotë” thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë pas këtij operacioni janë inspektuar 53 lokale, prej tyre 44 janë mbyllur dhe janë shqiptuar gjoba për parregullsitë e evidentuara. Ndërkohë, janë legjitimuar 145 persona, prej tyre 116 femra e 29 meshkuj. Nga ky legjitimim është konstatuar se 120 persona kanë qenë me nënshtetësi kosovare, 15 persona me nënshtetësi shqiptare, 9 me nënshtetësi tajlandeze dhe një me nënshtetësi rumune.
“Shtetasit/et e huaja në mungesë të paraqitjes së lejes së qëndrimit në bashkëpunim me Drejtorinë për Migrim do të trajtohen në bazë të ligjit për të huaj”, thuhet tutje në njoftim.