Tetë raste të dhunës në familje për 24 orë
BKT
Kronika

Tetë raste të dhunës në familje për 24 orë

E.Hoti/RTKlive

Rastet e shpeshta të dhunës në familje janë bërë përditshmëri në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës. Edhe në raportin e fundit, janë raportuar tetë raste të dhunës në familje, derisa raportohet edhe për dhunë, rrahje, grabitje e kanosje.

Sipas policisë, mbrëmë në Prishtinë është arrestuar një i dyshuar, pasi që i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër .Lidhur me rastin i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Rasti tjetër ka ndodhur në Viti ku është arrestuar i dyshuari pasi që pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht viktimën femër. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Një rast i dhunës në familje dhe lëndim ka ndodhur dje edhe në fshatin Sevc në Shtërpcë. Këtu nuk raportohet se burri ka rrahur gruan, por se rrahja ka ardhur nga e dyshuara femër “Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Një rast dhune ka ndodhur edhe në Prizren. Raportohet se i dyshuari kishte kanosur dhe sulmuar fizikisht një femër dhe një mashkull. Lidhur me rastin i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Dhunë tjetër në familje raportohet të ketë ndodhur dje edhe në Pejë.Është arrestuar i dyshuari pasi që pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht viktimën femër. “Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Për dhunë në familje dhe kanosje, në Pejë dje është arrestuar edhe një i dyshuar tjetër. I njëjti kishte kanosur dhe sulmuar fizikisht viktimën mashkull.

Ndërsa në Gjakovë dhe Rahovec janë arrestuar dy të dyshuar tjerë pasi që në dy raste të ndara kishin shkaktuar dhunë psikike ndaj dy femrave.

Bëhet e ditur se viktimave i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa dy të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Ndryshe, në Kosovë është rritur ndër vite numri i rasteve të dhunës në familje  që raportohen në Policinë e Kosovës.

 

 


MË SHUME NGA Kronika