Ancelotti mund ta lë Real Madridin për të marrë drejtimin e Brazilit
B. H./ RTKlive
Pas dështimit në Botërorin “Qatar 2022”, Brazili është në kërkim të trajnerit të ri, pasi Tite u largua menjëherë pas eliminimit nga Kroacia në çerekfinale.
Legjenda braziliane Ronaldo pretendon se trajner i ri do të jetë 48-vjeçari Fernando Diniz, i cili është edhe trajneri aktual i Fluminenses. Nga ana tjetër opinioni beson se trajner i ri do të jetë një i huaj. Pikërisht këtë e pohoi edhe Ronaldo, por ai tha se Pep Guardiola e refuzoi ofertën nga Federata e Futbollit të Brazilit.
Gazetari portugez i CNN-it, Bruno Andrade, shkruan se brazilianët tashmë do të shkojnë pas Carlo Ancelottit. Italiani thuhet se mund të marrë përsipër ekipin kombëtar të Brazilit në qershor 2023, pasi të përfundojë sezonin me Real Madridin.
Ancelotti ka një kontratë me Realin deri në qershor 2024, por besohet se ai mund të largohet nga Madridi një vit më parë për shkak të një oferte nga Brazili.
Ancelotti nuk ka qenë kurrë trajner i një kombëtareje në karrierën e tij. Si trajner ka drejtuar klube si Reggiana, Parma, Juventus, Milan, Chelsea, PSG, Real Madrid, Bayern, Napoli dhe Everton dhe nga viti 1992 deri në 1995 ka punuar si ndihmës trajner në kombëtaren italiane.
Në karrierën e tij, ai fitoi gjithçka në nivel klubesh.























