Aktakuzë kundër dy të pandehurve për blerje dhe shitje të narkotikëve
E.Hoti/RTKlive
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A.D., dhe V.D., të cilët gjenden në paraburgim nga data 16.11.2022.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se aktakuza është ngritur për shkak të dyshimit se ata kanë kryer veprën penale ”Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri A.D, fillimisht me datën 22.10.2022 përmes zbatimit të masave të fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit, është hasur nga Policia e Kosovës – DHTN në Prizren duke i shitur personave të tjerë substanca narkotike të llojit heroinë, derisa i pandehuri V.D me datë 06.11.2022 gjithashtu haset nga policia e Kosovës duke kryer aktivitetin e njëjtë kriminal.
“Policia e Kosovës – DHTN në Prizren, pas zbatimit të Urdhrit për Kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda pas kërkesës paraprake të Prokurorit të shtetit, në shtëpinë e të pandehurve të A.D dhe V.D arrijnë të gjejnë dhe sekuestrojnë substancë narkotike të llojit heroinë në peshë të përgjithshme prej 805.5 gram”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.























