Dalic ia dedikon Blazevicit fitoren e vendit të tretë në Botëror
Uran Krasniqi/RTKLive
Trajneri i Kroacisë, Zlatko Dalic, ia ka dedikuar Miroslav Ciro Blazevicit fitoren e sotme të vendit të tretë në Botërorin "Qatar 2022".
Trajneri kroat ka komentuar pas ndeshjes me Marokun, ku ekipi i tij fitoi 2-1.
“Vërtetë fantastike, ne fituam dy medalje në dy Kupa Botërore, më duhet t'i përgëzoj shumë lojtarët e mi. Do të doja t'ia kushtoja këtë fitore një njeriu që filloi gjithçka, pikërisht Miroslav Ciro Blazevic, është për ty, kjo është medalja jote, unë mund të fitoj pesë medalje, por ti je trajneri i të gjithë trajnerëve”, ka thënë ai. "Ne fituam një ndeshje të vështirë, ishte fantastike. Kjo është një medalje për Kroacinë dhe për të gjithë popullin kroat. Për të gjithë ata që na duan në rajon dhe në botë. Për mua kjo medalje bronzi është e artë, ta fitosh atë në një garë të tillë është e mrekullueshme. Një gjë fantastike për popullit tonë".
Kjo është hera e dytë që Kroacia zë vendin e tretë në një Botëror. Hera e parë ishte më 1998 në kampionatin e mbajtur në Francë, ku në ndeshjen për vendin e tretë kroatët kishin mposhtur Holandën dhe atë pikërisht me rezultat 2-1. Atëbotë Kroacia drejtohej nga trajneri Miroslav Ciro Blazevic.