Iu bashkua ISIS-it, dënohet me 4 vjet e 8 muaj burg
BKT
Kosovë

Iu bashkua ISIS-it, dënohet me 4 vjet e 8 muaj burg

J.Musliu/RTKlive

Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me gati pesë vjet burg të akuzuarin H.S, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Departamenti Special i kësaj gjykate deklaroi se i akuzuari H.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vite e 8 (tetë) muaj.

“Në këtë dënim, llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 01 gusht 2018 e tutje, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar në aktgjykim”, shkruan në aktvendim.

Të akuzuarit H.S  i është vazhduar paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar me burgim.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me datë 23 nëntor 2015, me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake, së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën e mitur, kishte lëshuar territorin e Republikës së Kosovës, përmes Aeroportit Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë.

Ai  kishte udhëtuar për në qytetin e Stambollit të Republikës së Turqisë dhe përmes lidhjeve të caktuara kishte  depërtuar në Siri, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS, e cila në këto vende ka qenë duke u luftuar.

“Është angazhuar si pjesëtar i ISIS-it, si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e ISIS-it, është financuar nga ISIS me shumën e të hollave prej nga 100 dollarë amerikanë në muaj, duke bashkëpunuar edhe me eprorë dhe luftëtarë të ISIS-it, si Lavdrim Muhaxheri, etj”, shkruan në aktakuzë.

“Më pastaj është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane, ku edhe me datë 28 maj 2022 është riatdhesuar në Republikën e Kosovës”, thekson Gjykata Themelore e Prishtinës.

Kjo e fundit  ka njoftuar po ashtu se palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

 


MË SHUME NGA Kosovë