Franca mirëpret heqjen e barrikadave, kërkon marrëveshje gjithëpërfshirëse
J.Musliu/RTKlive
Pas fillimit të largimit të barrikadave të vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës, kanë nisur të mbërrijnë edhe reagimet e para.
Ministria e Punëve të Jashtme e Francës ka mirëpritur largimin e këtyre pengesave të vendosura në rrugët e veriut të vendit.
Franca i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë punën e tyre në drejtimin e uljes së tensioneve në mënyrë që të shkohet drejt marrëveshjes së përgjithshme.
“Ne mirëpresim njoftimin për heqjen e shpejtë të pengesave në veri të Kosovës dhe përpjekjet e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara për të arritur këtë rezultat”, deklaroi Ministria e Punëve të Jashtme të Francës përmes një deklarate për media.
“I bëjmë thirrje autoriteteve serbe dhe kosovare që të vazhdojnë angazhimin e tyre konstruktiv për të ulur tensionet në terren dhe për të shkuar drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve të tyre në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.
Franca kërkon gjithashtu edhe zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme mes Kosovës dhe Serbisë.
“Të gjitha angazhimet e marra në kuadër të këtij dialogu duhet të zbatohen”.























