Flakët përfshijnë një banesë në Fushë Kosovë, shkak mjetet piroteknike
J.Musliu/RTKlive
Një banesë në Fushë Kosovës është përfshirë nga zjarri. Dyshohet se shkak janë fishekzjarret e hedhura pa kontroll.
Banorja e këtij blloku ku ka rënë zjarri, Antigona Uka – Lutfiu, e cila është edhe zëdhënëse e Gjykatës Supreme të Kosovës, ka njoftuar në llogarinë e saj në Facebook për këtë incident.
“Britma e krisma na trishtuan”, shkruan ajo.
“Njëherë menduam se u blloku në lift ndonjë fëmijë. Por ishin fqinjët, ndërkohë edhe policia, që u desht ta thyejnë derën e blinduar të fqinjit, pasi nga terasa e tij po dilte flakë e tym, ndërkohë që ai bashkë me familje, kishin shkuar ta festojnë ndërrimin e motmoteve në fshat”, shkruan Antigona Uka-Lutfiu.
Ajo deklaron se pas hyrjes brenda në banesë, rezultons e ajo ishte në rregull, por sipas saj, zjarri ishte si pasojë e gjuajtjeve të pakontrolluara me mjete piroteknike.
“Një mjet i tillë ka përfunduar në terasën e tij, duke djegur gjithçka e duke na rrezikuar të gjithëve”, shkruan ajo.
Në natën e ndërrimit të moteve, në këtë rast, qytetarja Antigona Uka-Lutfiu, shkruans e të gjithë banorët është dashur ta boshatisin ndërtesën, derisa policia dhe zjarrëfikësit e kryen punën e tyre.
“Vajzat me terapi, antibiotik e inhalim u desht t'i ekspozojmë për disa minuta në një ajër të tmerrshëm”, shkroi ajo.
“Vazhdoni gjuani pa kontroll, se fjalët s'ju ndalin”, shkruan me mllef ajo, duke kërkuar që të ndalohet importimi i pakontrolluar i këtyre mjeteve piroteknike.
Deri më tash policia nuk ka dhënë ndonjë informacion në lidhje me rastin, por e njejta ka bërë thirrje gjatë ditës që qytetarët të kenë kujdes me mjetet piroteknike. Apel të njëjtë kanë dhënë edhe mjekët.























