Policia në Ferizaj, brenda një jave shqipton mbi 1 mijë gjoba kundërvajtëse
Foto: Arkiv
Kronika

Policia në Ferizaj, brenda një jave shqipton mbi 1 mijë gjoba kundërvajtëse

M.Shefkiu/RTKlive

Policia Rajonale e Ferizajt brenda një jave ka shqiptuar mbi një mijë gjoba, ndërsa ka hequr edhe 12 patentë shoferë, për drejtuesit që kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacion. Kështu thuhet në raportin e Policisë në këtë rajon, e cila thotë se ky aktivitetet është marrë me qëllim të parandalim të aksidenteve në rrugë.

“Policia ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh në identifikimin e kundërvajtësve të ndryshëm në komunikacion, me qëllim parandalimin e aksidenteve. Në kuadër të këtyre aktiviteteve policia rajonale e Ferizajt, gjatë javës që shkoi nga data 16-22 Janar 2023, ka shqiptuar 1047 gjoba kundërvajtëse”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë së Ferizajt, në këtë rajon brenda një jave janë raportuar 40 aksidente, prej tyre 18 me lëndime, ndërsa 22 aksidente me dëme materiale.

“Policia Rajonale e Ferizajt, do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe apelon tek shoferët që të bëjnë kujdes në komunikacionin rrugor. Ndërsa, ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë”, thuhet në njoftimin për media.

Për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, Policia fton qytetarët që të njoftojnë menjëherë në stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë‘’.


MË SHUME NGA Kronika