Shtiu me armë në veturën e një personi, arrestohet i dyshuari nga Mitrovica
E. Hoti/ RTKlive
Në orët e mbrëmjes së datës 25 janar 2023, është arrestuar një i dyshuar pasi është vet- dorëzuar në polici. Ai dyshohet për veprën penale vrasje në tentativë.
Policia njofton se rasti ka ndodhur me 20 janar 2023, në rrugën ‘Shaban Polluzha” në Mitrovicë, ku dyshohet se i dyshuari, nga vetura e tij në lëvizje ka shtënë me armë zjarri në veturën e ankuesit e cila ishte goditur nga dy predha.
“Arrestimi i të dyshuarit është bërë mbi dyshime të arsyeshme për përfshirje në veprën penale “vrasje në tentativë” e ndodhur me datën 20 janar 2023, në rrugën ‘Shaban Polluzha” në Mitrovicë, ku dyshohet se i dyshuari rreth orës 21:45, nga vetura e tij në lëvizje ka shtënë me armë zjarri në veturën e ankuesit e cila ishte goditur nga dy predha, përveç dëmeve materiale nuk kishte të lënduar”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë në cilësi të provave materiale nga i dyshuari është sekuestruar një armë e llojit pistoletë, me një fishek.
Bëhet e ditur se pas intervistimit me urdhër të prokurorit të rastit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.