Zbulohet edhe një bunker për fshehjen e medikamenteve të kontrabanduara
E. Hoti/ RTKlive
Njësitë e Doganës së Kosovës sot kanë zbuluar një hapësirë të fshehur (bunker) në një barnatore në Prishtinë.
Dogana ka njoftuar se pas pranimit të informatave përsëri përmes aplikacionit e-Dogana lidhur me parregullsitë potenciale, zyrtarët doganorë kanë organizuar një kontroll në një barnatore në Prishtinë.
Gjatë kontrollimit janë hasur barna të kontrabanduara si dhe hapësira e veçantë për fshehjen e mallrave të kontrabanduara.
“Medikamentet janë sekuestruar dhe ndaj pronarit është iniciuar procedurat kundërvajtëse. Aplikacioni i lansuar nga dogana si dhe bashkëpunimi me qytetarët po jep rezultate çdo ditë, derisa dogana inkurajon qytetarët që të përcjellin informata pasi njësitet tona janë të gatshme për të verifikuar informatat”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se posedon aplikacionin eDogana për pajisjet e mençura android dhe ios, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi.