Rrahje dhe gjuajtje me armë, në një lokal në Fushë - Kosovë
M.Sh/RTKlive
Në orët e mbrëmjes në një lokal në Fushë-Kosovë ka ndodhur një konflikt, ku janë përdorur edhe armë zjarri. Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Si pasojë e një mosmarrëveshje dhe konflikti fizik mes dy personave, dyshohet se ka pasur të shtëna me armë zjarri. Rasti është raportuar të këtë ndodhur në një lokal në rr.Nënë Tereza në F.Kosovë”, tha ai.
Aty thuhet se është gjetur edhe një armë zjarri. Kelani ka treguar se lidhur me rastin janë duke u kryer hetimet e mëtejme policore.
Në vendin e ngjarjes ka ndodhur edhe gazetar i RTK-së, Alban Selimi, i cili kishte lajmëruar policinë dhe kishte dëshmuar për ngjarjen.
“Gjersa me një mik timin sonte pinim një kafe në një kafiteri në Fushë Kosovë, për një moment një zhurmë u dëgjua tek banaku. Filluan gjuajtjet me shishe qelqi dhe gjësende tjera mes dy personave që nuk i kisha parë e as takuar ndonjëherë. Për një moment kur fyerjet e acarimet u përshkallëzuan dhe me mikun tim u përgatitëm të dalim jashtë, personi prapa banakut nxori një revole. Në ato momente, fillova të telefonoj policinë. Ora ishte 19.59. Derisa flisja me bazën e policisë, krismat u dëgjuan pas shpine. Jo një herë, as dy…katër apo pesë herë. Meqë isha në telefon dhe iu flisja bazës, të gjithë nuk pata mundësi të numëroja krismat”, ka deklaruar Selimi.
Megjithatë gazetari i RTK-së në përshkrimin e tij, thotë se policia nuk është treguar korrekte gjatë periudhës së intervistimit.























