Gjatë këtij muaji do të vendosen matësit e nivelit të zhurmës në gastronomi
BKT
Foto: RTKlive
Kosovë

Gjatë këtij muaji do të vendosen matësit e nivelit të zhurmës në gastronomi

Ardiana Hajzeri / Radio Kosova

Një numër i madh i banorëve në kryeqytet vazhdojnë të përballen me nivelin e lartë të zhurmës që shkaktohen nga lokalet në orët e vona të natës.

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se gjatë këtij muaji do të hapë thirrjen publike për të gjitha subjektet afariste për vendosjen e pajisjes për matjen e nivelit të zhurmës në sektorin e gastronomisë në territorin e kryeqytetit.

Zhurma  e lartë  e cila dëgjohet edhe në orët e vona në lokalet e kryeqytetit po shqetëson shumë banorë të cilët jetojnë afër tyre.  Njëri ndër ta, banor në lagjen Mati – 1, në kushte anonimitetit i tha Radio Kosovës se për shkak të zhurmës se lartë në restorantin afër banesës se tij, nuk arrin të fle deri pas mesnate. Përveç zhurmës se lartë problem tjetër me të cilin përballen është edhe aroma që lirohet nga ventilimi.

 “ Zhurma e cila krijohet nga muzika në restorantin poshtë banesës për ne si banorë, është shumë shqetësuese. Zhurma është deri pas orës 24:00 dhe niveli i zërit është i lartë dhe po ashtu muzika është me bas. Ne në as një natë nuk mund të flemë deri pas orës 1 të natës. Plus era e ventilimit në pjesën ndërmjet banesave është e padurueshme dhe terasen nuk mund ta shfrytëzojmë”, ka thënë qytetari.

Për ta përmirësuar këtë gjendje, Komuna e Prishtinës ka vendosur që gjatë këtij muaji do të hapë thirrje publike për të gjitha subjektet afariste për vendosjen e pajisjes për matjen e nivelit të zhurmës në sektorin e gastronomisë në territorin e kryeqytetit. Kështu kane bërë të ditur për Radio Kosovën nga Komuna e Prishtinës në një përgjigje me shkrim.

 “ Drejtoria e Shërbimeve Publike është duke u përgatitur të bëjë thirrje publike për të gjitha subjektet afariste si kafenetë, restorantet, baret, klubet e natës dhe të gjitha hapësirat e gastronomisë në kuadër të lokaleve që ushtrojnë veprimtari të ndryshme, për vendosjen e pajisjes për matjen e nivelit të zhurmës në sektorin e gastronomisë në territorin e kryeqytetit. Thirrja do të ketë qëllim parandalimin dhe shmangien e efekteve të dëmshme, duke përfshirë bezdisjen e qytetarëve si rezultat i ekspozimit të zhurmës së krijuar si pasojë e ndotjes akustike. Thirrja do të hapet gjatë muajit shkurt”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Ndërkohë, drejtues të Komunës së Prishtinës, kanë bërë të ditur  se rregulli për zhurmën mund të ndryshojë gjatë verës, teksa edhe për këtë thonë se ka mirëkuptim ndërmjet gastronomeve dhe banorëve.  Nga 15 korriku deri 15 gusht, niveli i zhurmës mbase do të jetë pak më i lartë për shkak të verës dhe numrit të madh të vizitorëve. Mes tjerash, është bërë e ditur se gastronomeve që s’i përmbahen rregullit të vendosur për zhurmë, mund edhe t’u merret leja e punës. 


MË SHUME NGA Kosovë