Gjobë ndaj shoferit për tejkalim të shpejtësisë në Ferizaj
M.Miftari/ RTKLive
Policia Rajonale e Komunakacionit Rrugor në Ferizaj, mbrëmë rreth orës 22:35 ka ndaluar shoferin, i cili me automjetin e udhëtarëve shkaktoi kundërvajtje në komunikacion, tejkalim i shpejtësisë në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinē, më saktësisht në fshatin Prelez i Muhaxherëve zhvilloi shpejtësi 133 km/h në zonën e kufizimit 50 km/h.
Në një njoftim për medie, bëhet e ditur se Policia, ndaj shoferit me inicialet L.RR (M/K) i moshës 21 vjeçar i shqiptoi një gjobë, sipas ligjit të komunikacionit rrugor, 300 euro , 3 pikë negative dhe tre (3) muaj masë mbrojtëse heqje e patent-shoferit. Ai, në tërësi, e pranoi kundërvatjen e shkaktuar.
Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, duke ftuar qytetarët për bashkëpunim, apelon tek shoferët e automjeteve që të respektojnë shpejtësinë e kufizuar të lëvizjes, ngase veprimet e tilla rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e pjesëmarrësve në komunikacion.























