Nën tytën e armës e fusin dhunshëm në makinë, arrestohet kanosësi
M.Sh/RTKlive
Disa të dyshuar me një veturë, nën kërcënimin e armës, e kanë detyruar një person që me forcë ta fusin në makinën e tyre dhe të largohen nga Prishtina, njofton Policia. Por, pas një periudhe, i kanosuri nën tytën e revoles, kishte arritur të largohet nga vetura dhe ta lajmërojë policinë.
“Fillimisht është raportuar se disa të dyshuar me një veturë me targa vendore, me forcë e kanë marrë viktimën mashkull kosovar dhe kanë ikur në drejtim të panjohur. Më pas viktima ka arritur që të ikë nga vetura e të dyshuarve. Sipas viktimës, të dyshuarit nën kanosjen e armës e kanë futur në veturë, viktimës i është ofruar tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Organet e rendit kanë arritur ta identifikojnë veturën dhe njëri nga të dyshuarit, sipas njoftimit, është arrestuar.
“Në vendbanimin e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një revole me një karikator. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje ndërsa rasti po vazhdon të hetohet”, njofton Policia e Kosovës.























