Dyshohet për krime lufte, gjykata i shqipton një muaj paraburgim
M.Sh/RTKlive
Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e paraburgimit në çështjen penale hetimore të të pandehurit Z.A, i dyshuar për veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ.
“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Z.A e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, në kuptim të nenit 184 paragrafi 1 nën - paragrafi 1.1 e nën - paragrafi 1.2 pika 1.2.1 e 1.2.2 dhe nën - paragrafi 1.3 të KPPRK.
Sipas vendimit të Gjykatës, kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.























