Raportoi rrejshëm se iu grabitën 3500 euro, i hapet kallëzim
Kronika

Raportoi rrejshëm se iu grabitën 3500 euro, i hapet kallëzim

E. Hoti/ RTKlive

Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të lajmërimit apo kallëzimit të rrejshëm të rastit të grabitjes së një shume të hollash, që ka ndodhur të shtunën në Shtime.

Sipas Policisë, sot rreth orës 07:30, personi A.G i moshës 48 vjeçare kishte raportuar në policinë e stacionit në Shtime, se në fshatin Gjyrkovc të Shtimes persona të panjohur e kishin sulmuar dhe me dhunë i kishin grabitur para në vlerë prej 3.500 euro dhe kishin ikur me një automjet në drejtim të panjohur.

“Policët e rendit të stacionit në Shtime e më pas hetuesit rajonal nga Sektori Rajonal i Hetimeve, nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj,  i kanë marrë veprimet e nevojshme dhe nën dyshimin se mund të ketë lajmërim apo kallëzim të rrejshëm të rastit i kanë nisur hetimet”, thuhet në njoftimi.

Policia ka njoftuar se fillimisht ankuesi është testuar me alkool test, i cili më pas  ka rezultuar me 1.42 promila.

“Pas intervistimit nga hetuesit policor, në prani edhe të avokatit mbrojtës , rreth orës 15:00 , ai në tërësi e ka pranuar veprën se ka deklaruar rrejshëm, ndërsa me vendim të prokurorit të rastit i njëjti lirohet për procedurë të mëtejme hetimore”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, Policia njofton se ndaj tij është iniciuar kallëzim penal, nën dyshimin se ka kryer vepër penale ‘’ Lajmërimi, apo kallëzimi i rremë’’.


MË SHUME NGA Kronika