Dyshohet se largoi zarfin me foto të ndjeshme, arrestohet postieri
E. Hoti/ RTKlive
Policia e Kosovës ka arrestuar sot një zyrtar të postës i cili gjatë orarit të punës, dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme kishte larguar një zarf nga zyra e postës.
Sipas Policisë, dyshohet se në zarf kanë qenë disa fotografi të ndjeshme.
“Mbi bazën e dyshimeve Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka arritur të identifikoj të dyshuarin dhe në konsultim me Kryeprokurorin e PTH në Prishtinë, i dyshuari është shoqëruar në polici për intervistë në cilësinë e të dyshuarit,përderisa në cilësinë e dëshmitarit është intervistuar edhe një person tjetër”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, mbi bazën e këtyre veprimeve është krijuar dyshimi se i dyshuari me inicialët M.R, dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së.
Më tej është thënë se në konsultim dhe koordinim me prokurorin kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, është lëshuar vendim mbi ndalimin e të dyshuarit dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme.