Policia arreston kontrabandistin e kërkuar
E. Hoti/ RTKlive
Policia e Kosovës ka identifikuar një person të dyshuar me urdhërarrest aktiv dhe ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në Viti.
Sipas njoftimit, sot rreth orës 07:00, njësitë policore Taskforcë nga Policia Kufitare kanë ndaluar një automjet transportues në Mjak të Vitisë, me drejtues dhe pasagjer të dyshuar.
Gjatë legjitimimit të tyre ka rezultuar se i dyshuari, drejtuesi i mjetit, me iniciale I. M., viti i lindjes 1993, kishte urdhërarrest aktiv të lëshuar nga gjykata kompetente.
Përveç kësaj po ashtu është vërtetuar se edhe mjeti të cilin e drejtonte ishte pa regjistrim valid.
"Gjatë një kontrolli në automjetin e lartcekur, janë gjetur dhe janë konfiskuar 40 thasë fara kungulli x 25 kg= 1000 kg, 50 pako arra të qëruara x10.5kg= 525kg, për të cilat të dyshuarit nuk posedonin dokumente përkatëse", thuhet në njoftim.
Policia ka sqaruar se të njëjtit po ashtu kanë pranuar se malli i ngarkuar është futur përmes rrugëve ilegale nga Republika e Maqedonisë së Veriut, në Republikën e Kosovës.
Lidhur me rastin, me vendim të prokurorit, i dyshuari i cili kishte urdhërarrest i është dorëzuar stacionit policor përkatës për procedura të mëtejme.
Malli i konfiskuar i dorëzohet Doganës së Kosovës, ndërsa rasti procedohet në procedurë të rregullt.