Ndalohet Agim Ademi, i shqiptohet masa e ndalimit prej 48 orësh
RTKlive
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi është ndaluar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës nën akuzat “Keqpërdorimi i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi” dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas ndërmarrjes se veprimeve paraprake hetimore, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Keqpërdorimi i besimit”, nga neni 330 dhe “Shmangie nga tatimi”, nga neni 307 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
I njëjti, sipas Prokurorisë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë çështje penale.
Ndryshe, arrestimi i tij vjen tri ditë para se Kombëtarja e Kosovës në Futboll t’i nisë eliminatoret për Evropianin 2024. Kujtojmë se të shtunën Kosova luan kundër Izraelit si mysafir, ndërsa tri ditë më vonë në stadiumin “Fadil Vokrri” e pret Andorrën.