30 ditë paraburgim, dyshohet se përdhunoi një vajzë nën 16 vjeç
J.M/RTKlive
Gjykata Themelore në Prizren, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, ndaj të pandehurit Xh.B.
Dyshohet se ai ka kryer veprën penale të dhunimit. Me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
Nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, i pandehuri XH.B dyshohet se gjatë muajit nëntor/dhjetor të vitit 2022, në komunën e Suharekës, me dashje e detyron viktimën nën moshën 16 vjeç për të kryer aktin seksual.
Por, nëse do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimet në këtë çështje penale sapo kanë filluar, dhe duke pasur parasysh peshën e veprës penale, me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku potencial që i njëjti mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.
Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se ekzistojnë arsye për caktimin e paraburgimit.
Duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, pasi që i dëmtuari është nën moshën 16 vjeç, dhe i pandehuri dyshohet se duke e kanosur, ka kryer veprën penale të dhunimit, nga këto rrethana dhe pesha e veprës penale, është konstatim i Gjykatës se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.