Shënjestrohet një rasti i ri për shpëlarje parash dhe fajde
E.Hoti/RTKlive
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ka shënjestruar një rast të ri të koduar ‘’Frangu’’ për veprat penale ‘’Shpëlarje e parasë’’, ‘’Fajdeja’’, ‘’Detyrimi’’ dhe ‘’Pengim i të privuarit apo procedurës zyrtare’’.
“Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka mbajtur sot takimin e radhës me ekipin e përbashkët për përzgjedhjen dhe shenjëstrimin e krimeve të rënda, ku kanë shenjëstruar një rast të ri të koduar ‘’Frangu’’ ku janë të përfshirë katër persona”, ka njoftuar Prokuroria Speciale.
Ndërkaq, sa i përket hetimeve financiare, Prokuroria njofton se rasti është hetuar paralelisht dhe ditën e operacionit është arritur të ngrihen llogaritë bankare të të dyshuarve dhe familjarëve të ngushtë.
“Në llogaritë e tyre rrjedhëse dhe të afatizuara janë ngrirë 2,131,223.31 euro dhe 878,632.47 franga”, thuhet në njoftim
Sipas Prokurorisë tre prej të dyshuarve në këtë rast janë në paraburgim.
“Kurse në vazhdimësi të hetimeve janë identifikuar edhe prona dhe patundshmëri të cilat me urdhër të Gjykatës janë ngrirë gjashtëmbëdhjetë (16) parcela. Në ketë rast për momentin janë të përfshirë katër persona, tre prej tyre janë në paraburgim”, thuhet më tej në njoftim.