Dhuna kundër mësimdhënësve|Video
BKT
Kosovë

Dhuna kundër mësimdhënësve|Video

Besjana Mulaj/RTK

Autoriteti dhe respekti ndaj mësimdhënësve është zbehur shumë nga gjeneratat e reja të nxënësve dhe prindërve.

Punëtorët me përvojë të gjatë në arsim thonë se nxënësit tani kanë kushte shumë më të mira për mësim, por mirësjellja dhe puna mungon në shumë raste.
Beqir Bozhdari ka 38 vjet që kontribuon në arsimin fillor.
Nga kjo përvojë si arsimtar i gjuhës shqipe, ai thotë se qasja dhe sjellja e nxënësve ndaj
mësimdhënësve ka ndryshuar. Madje ai ankohet edhe për mungesën e interesimit nga prindërit.
“Këto të mira që i kanë po i keqpërdorin, atëherë ka qenë pak më ndryshe teknologjia tash e bon të veten, telefonat faktikisht janë si gjeneratë ma të shkapërderdhur, nuk janë ma punëtor ma ma përpara, ata kanë bo gara se kush po lexon ma shumë e tash për 1 muaj mezi një lektyrë e lexojnë, kurse prindin tash e ke ma shumë për notë, ai vjen veç në fund të vitit”, tha Beqir Bozhdari, mësimdhënës në SHFMU “Hasan Prishitna”.
Ndryshimi i qasjes si shoqëri ndaj mësimdhënësve fatkeqësisht ka shkuar aq larg, saqë është shprehur edhe me rastet e dhunës ndaj tyre.
Rasti i fundit ishte në shkollën fillore “Luigj Gurakuqi” në Gërdoc të Podujevës, ku njëri nga prindërit e kishte sulmuar fizikisht arsimtarin e lëndës së fizikës.
Profesoresha e psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, Albulena Metaj, thotë se duhet të ofrohen programe të veçanta për nxënësit dhe prindërit.
“Paralelisht duhet me pasë edhe programe të prindërimit adekuat, programe tjera mbështetëse nga resurset profesionale. Programe të nxënit socio emocional që adresojnë nevojat, motivet jo vetëm të fëmijëve por edhe të prindërve dhe mësimdhënësve që mundësojnë me i nxitë shkathtësitë  pedagogjike të prindërve”, deklaroi Albulena Metaj Macula, profesoreshë e Psikologjisë në UP.
SBASHK-u dhe Ministria e Arsimit nuk kanë të dhëna se sa mësimdhënës janë sulmuar fizikisht, ndërsa në tërësi, sipas të dhënave empirike, 20 % të mësimdhënësve raportojnë dhunë fizike, kurse 48 % dhunë psikike.


MË SHUME NGA Kosovë