Gjobitet shoferi që shkaktoi kundërvajtje të rrezikshme në Ferizaj
E. Hoti/ RTKlive
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka gjobitur një shofer në Ferizaj me 300 euro dhe 1 pikë negative.
Kjo pasi që i dyshuari P.Q i moshës 24 vjeçare shkaktoi kundërvajtje të rrezikshme tek nënkalimi i qytetit në Ferizaj.
Sipas Policisë, i njëjti drejtoi në mënyrë të rrezikshme automjetin e udhëtarëve BMW me targa vendore.
Policia ka njoftuar se automjeti ishte me afat të skaduar të regjistrimit, teksa ata ishin njoftuar për këtë rast përmes një video të postuar në rrjetet sociale.
“Në lidhje me këtë policia e ftoi shoferin P.Q (M/K) i moshës 24 vjeçar në Njësinë e Komunikacionit Rrufor në Ferizaj dhe i shqiptoi një gjobë sipas ligjit të komunikacionit , 300 euro dhe 1 pikë negative”, thotë Policia.
Në njoftimin e Policisë është thënë se i dyshuari në tërësi e pranoi kundërvajtjen e shkaktuar.
Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, apelon tek shoferët e automjeteve që të respektojnë shenjat dhe rregullat e komunikacionit.
“Veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë”, deklaron Policia.
Policia ka kërkuar që për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406.