Operacion policor në bashkëpunim me Doganën dhe Inspektorët Farmaceutik
BKT
Kronika

Operacion policor në bashkëpunim me Doganën dhe Inspektorët Farmaceutik

F. Sertolli / RTKlive

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se hetuesit policorë nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, kanë zhvilluar një operacion policor në rajonin e Prizrenit.

“Në realizim të këtij operacioni, janë kontrolluar 10 subjekte – barnatore, për të cilat ekzistonte dyshimi i arsyeshëm se të njëjtat biznese janë duke shitur produkte farmaceutike pa banderola dhe të njëjtat produkte dyshohet se janë kontrabanduar dhe të rrezikshme për jetën e qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se operacioni ka qenë i koordinuar së bashku me Doganën e Kosovës (Njësia e Anti-kontrabandës) dhe Inspektorët Farmaceutik nga Ministria e Shëndetësisë.

“Në njërën nga barnatoret është gjetur një sasi e barnave pa banderola të cilat ishin të fshehura mbrapa rafteve të lokalit. Barnat pa banderola janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës, kurse hetuesit policorë e kanë shoqëruar një person të dyshuar në Stacionin Policor në Prizren si pronar i disa barnatoreve të cilat janë kontrolluar”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës.

“Pas intervistimit është njoftuar prokurori kujdestar nga PTH-Prizren i cili ka udhëzuar që të iniciohet rasti ‘prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’’ dhe ‘tregti e ndaluar’,  kurse i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”, përfundon njoftimi.


MË SHUME NGA Kronika