Bie ashensori, lëndohen tre persona|Video
Hana Marteti /RTK
Mbrëmë u rrezikua edhe jeta e 9 banorëve të lagjes Emshir në Prishtinë kur, teksa po shfrytëzonin ashensorin, ai ra duke lënduar 3 nga 9 personat të cilët ishin në të. Personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka bërë të ditur se në bashkërendim me prokurorinë dhe institucionet kompetente po merren me rastin.
Ky nuk është rasti i parë kur ndërtesat e banimit në Prishtinë kanë probleme me ashensorë. Por për një çështje të tillë sot nuk ka dhënë shpjegime Komuna e Prishtinës rreth sigurisë në objektet e banimit kolektiv.
Për shkaqe ende të panjohura, në një nga ndërtesat në lagjen “Kalabria” ashensori ka rënë.
Nga një përgjigje dhënë për RTK-në, Policia e Kosovës konfirmoi incidentin e së shtunës ku nga ai dolën të lënduar 3 nga 9 persona që ishin në ashensor.
Sipas policisë, personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor. Ndërkaq, mjekët kujdestarë në Klinikën Emergjente në QKUK, thanë për RTK se ndër këta persona ka qenë edhe një grua shtatzënë e cila nuk ka lëndime dhe është dërguar në Klinikën e Gjinekologjisë, gjendja e saj është e qëndrueshme.
Ky rast duket të mos jetë i pari për banorët e kësaj lagjeje, pasi edhe në shkurt të po këtij viti janë përballur me problemin e njëjtë.
Banorët shprehen të shqetësuar.
“Siguri nuk ka aspak, krejt ashensorët në këtë lagje të njëjtë janë, kujdesi është maksimalisht i vogël, sa here hipim tutëm kur po na lëshon, kot po paguajmë për ta”, thotë një banorë i lagjes “Kalabria”.
RTK është munduar të kontaktojë edhe me Komunën e Prishtinës për sigurinë e ashensorëve në ndërtesat kolektive, por që nuk ka marrë përgjigje.























