Të dëmtuarit nga vërshimet presin ndihmën e shtetit|Video
BKT
Kosovë

Të dëmtuarit nga vërshimet presin ndihmën e shtetit|Video

Arlinda Sejda /RTK

Janë bërë katër muaj qëkur Skenderaj dhe fshatrat përreth u vërshuan nga uji. Me këtë rast, pati dëme të mëdha të shtëpive të qytetarëve të kësaj ane, por edhe të bizneseve të ndryshme. Pos ndihmave të donatorëve të ndryshëm, ndihmë tjetër nuk kanë marrë.

Dëmet edhe sot janë të freskëta. Banorët thonë se akoma nuk janë kompensuar nga shteti. Familja e Jahir Sadikut është një nga familjet që pësuan dëme të mëdha nga vërshimet në fshatin Tushilë. Jahiri tregon për vështirësitë që po ballafaqohen pas vërshimeve.

"I vjen era ende, nuk kemi arrit të bëjmë asgjë, po mundohem në kushte të mia aq sa mundem", tha Jahir Sadiku, banor i fshatit Tushillë.

Dëme të mëdha nga vërshimet kishte pësuar edhe familja e Nebih Muratit. Kësaj familjeje u janë dëmtuar edhe makineritë e punës.

"Nga qeveria presim, kryetari na ka ftu kemi qenë një ditë atje në takim të gjithë kemi qenë dhe na ka premtua që do të na ndihmojnë edhe komuna, sepse ka pasur vërshime të mëdha", tha Nebih Murati,banor i fshatit Tushillë

Në këtë kopsht para vërshimeve ishte një shtëpi, e cila është rrënuar tërësisht, ndërsa pritet që së shpejti të ndërtohet nga donatorët. Për sanimin e dëmeve nga vërshimet, përgjigjen për ndihmë financiare nga qeveria po e pret edhe kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, ngase ato që i mblodhën nga donatorët janë të pamjaftueshme.

"E di që e kanë aprovua dhe ka mbete me e procedua për pagesa në qeveri, deri tani nuk kemi ndonjë informatë për ndonjë vendim të qeverisë, ajo se çfarë kemi bërë ne jemi në proces të ndarjes së një fondi emergjent që kemi grumbullua nga njerëz vullnetmirë", tha Fadil Nura, kryetar i Skenderajt.

Sipas kryetarit të Skenderajt, dëmet në këtë komunë vlerësohen të jenë mbi 12 milionë euro.


MË SHUME NGA Kosovë