I kërkuari nga policia bën kundërvajtje në komunikacion, dërgohet në burg
BKT
Foto: Policia e Kosovës
Kronika

I kërkuari nga policia bën kundërvajtje në komunikacion, dërgohet në burg

M.Shefkiu/RTKlive

Të dielën mbrëma, policia e Kosovës nga Njësia e Komunikacionit kishte ndaluar një qytetar për tejkalim të shpejtësisë, ndërsa pas verifikimit të dokumenteve kishte rezultuar se i njëjti ishte i kërkuar nga policia për posedim të drogës dhe kishte vendim të prerë të gjykatës me 8 muaj burg. I rebeluar nga vendimi, ky qytetar kishte sulmuar edhe policinë dhe është akuzuar edhe për një vepër tjetër penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

“Në pikë-kontrollin në rrugën magjistrale Ferizaj -Prishtinë, në fshatin Prelez i Muhaxherëve, policia ka ndaluar një automjet, shoferi i së cilës kishte bërë kundërvajtje tejkalim të shpejtësisë dhe pas kontrollimit të dokumenteve ndaj të njëjtit iniciohet procedurë gjyqësore për tejkalim të shpejtësisë dhe drejtim i automjetit pa patentë-shoferi, mirëpo pas verifikimit të tij rezulton se F.A i moshës 23 vjeçar ishte në kërkim policor”, njofton Policia nga rajoni i Ferizajt.


Sipas njoftimit, ai ishte i kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për veprën penale "Posedim i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope ose analoge” me dënim burgimi prej tetë (8) muajve dhe i njëjti është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj.

“Gjatë kompletimit të dokumentacionit dhe përgatitjeve për ta dërguar në vuajtje të dënimit, F.A ka sulmuar dy zyrtarë policor dhe ka dëmtuar derën e një zyre të stacionit të policisë. Ndaj tij me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është inicuar edhe një rast penal "Sulm ndaj personit zyrtar dhe dëmtim i pronës publike" dhe i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit për procedura tjera”, njofton policia.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, thuhet se do të vazhdojë me realizimin e urdhëresave të gjykatës ndaj personave që ende nuk iu kanë përgjigjur thirrjes së gjykatës.


MË SHUME NGA Kronika