Rruga problematike, banorët kërkojnë që t`u përshtatet | Video
BKT
Kosovë

Rruga problematike, banorët kërkojnë që t`u përshtatet | Video

Driton Ramadani | RTK

Një rrugë që lidh qytetin e Ferizajt me Shtimen po u krijon probleme banorëve dhe subjekteve afariste. Banorët tregojnë se ky problem ka vite që nuk po zgjidhet, e komunarët thonë se kanë gjetur një zgjidhje.

Rruga “Brahim Ademi” nga Ferizaj në drejtim për Shtime është duke u rregulluar në atë mënyrë që hyrja dhe dalja nga Ferizaj të jetë me 4 shirita. Mirëpo, qytetarët ankohen se kanë vështirësi të kyçen në këtë rrugë.

“Kemi bërë protesta, kemi bërë peticion të gjitha mënyrat i kemi përdorur, mirëpo puna prapë po vazhdon këtu. Ne me këtë nuk jemi të kënaqur. Na hyrjen e kemi këtu për në shtëpi, kemi me pas telashe shumë të mëdha”, ka theksuar Alush Mehmeti, banor.

Ankesa kanë edhe pronarët e bizneseve që operojnë afër kësaj rruge.

“Po na mungon shumë, pasi që shumica kanë edhe vetura të reja. Askush nuk i hyp në këto trotuare me ardhë me ble diçka në bizneset tona. Anësoret i kanë ngritur shumë lartë. Kemi bërë kërkesë edhe në ministri edhe në komunë që këto anësoret të lëshohen horizontalisht dhe jo në mënyrë vertikale”, ka theksuar Kenan Mehmeti, afarist.

“Nëse nuk bëhet ndonjë zgjidhje për uljen e rrugës atëherë krejt investimi mbi miliona që i kemi bërë ka për të shkuar huq. Komplet do të shkojë në dëm të kompanisë dhe në dëm të 20 punonjësve që i kemi këtu tek ne”, ka thënë Granit Zeqiri, afarist.

Në komunë thanë se projekti është hartuar nga ish-qeverisja lokale e LDK-së në vitin 2016 dhe se është ulur traseja për 10 centimetra, por që është kërkuar që edhe më tutje të ketë ulje të trasesë.

“Ne kemi pas takime me përfaqësuesit e ministrisë dhe me përfaqësuesit e banorëve të kësaj ane si dhe me hartuesit e projektit dhe njëkohësisht kemi vendosur javën e kaluar dhe e kemi njoftuar projektuesin që të tentojë edhe njëherë të ulë trasenë e rrugës deri në kuotën ku e lejojnë normat dhe standardet e projektimit”, ka thënë Meriton Hajdini, drejtor i drejtorisë së Infrastrukturës në Ferizaj.

Implementimi dhe financimi i këtij projekti po bëhet nga Ministria e Infrastrukturës, e cila nuk u është përgjigjur pyetjeve rreth ankesave të bizneseve.

 


MË SHUME NGA Kosovë