Kurti: Konushevci e Malaj dhanë jetën që populli shqiptar të jetojë i lirë
RTKlive
Kryeministri Albin Kurti, bëri sot homazhe dhe vendosi kurora me lule te varret e heroit të kombit, Ilir Konushevci dhe doktor Hazir Malajt, në 25-vjetorin e rënies së tyre.
Gjatë homazheve, kryeministri Kurti tha se sot jemi bërë bashkë me kolegë ministra e deputetë, me zëvendëskryeministren Rexhepi dhe me familjet Konushevci dhe Malaj që të bëjmë nderime para këtyre dy dëshmorëve të kombit të cilët nuk kursyen asgjë e të cilët dhanë jetën në mënyrë që populli shqiptar të jetojë i lirë në tokën e vetë.
"Pjesën kryesore dhe më të madhe të ecjes politike, shoqërore në vendin tonë e kanë kryer dëshmorët e kombit, ndërkaq neve na ka mbetur një pjesë më e vogël por e rëndësishme e punës, e cila bëhet mirë e mbarë pikërisht duke i pasur si udhërrëfyes dëshmorët dhe martirët të cilët janë edhe dëshmi e krimeve të Serbisë në Kosovë por njëkohësisht dhe vullnetit të paepur të popullit tonë për liri", shtoi kryeministri.
Në këto homazhe kryeministri Kurti u shoqërua nga zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetët e Kuvendit të Kosovës, Enver Dugolli dhe Driton Hyseni dhe asamblistë dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Qendra e Prishtinës.























