KQZ kërkon me konkurs “himnin” e vet
J.Musliu/RTKlive
Për herë të parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që ta ketë melodinë e vet.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të identifikohet me një melodi e cila do të përdorët për raste të ndryshme që kanë të bëjnë me punën e këtij institucioni të pavarur.
Për këtë arsye, KQZ-ja ka shpallur konkurs për kompozimin e melodisë së institucionit.
Në kushtet e konkursit, KQZ-ja njofton se kjo melodi, duhet të jetë e përhershme, identifikuese e institucionit dhe informatat të cilat do të transmetohen dhe publikohen në audio apo video, do të shoqërohen me këtë melodi.
“Kjo melodi, duhet të ketë një ritëm dhe tingull unik dhe origjinal, që tregonin domethënien dhe misionin e KQZ-së”, njofton KQZ-ja.
“Po ashtu, kompozimi nuk duhet të jetë i ngjashëm me ndonjë melodi apo këngë të cilitdo vend, parti politike apo institucion tjetër të Republikës së Kosovës”.
Ky konkurs, do të jetë i hapur deri më 5 qershor 2023 dhe detajet e tij janë publikuar në faqen zyrtare të KQZ-së.























