Dy të arrestuar për përleshje e armëmbajtje pa leje në Kaçanik
E. Hoti/ RTKlive
Një përleshje fizike është raportuar të ketë ndodhur të mërkurën pasdite në Vatë të Kaçanikut.
Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se dje rreth orës 18:00 ka pranuar një informacion se në këtë fshat është një rast i lëndimit trupor.
Policia thotë se pas kësaj menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar një 57 dhe një 29-vjeçar, pasi ata si shkak i një mosmarrëveshje ishin përleshur me dy persona të tjerë duke iu shkaktuar lëndime.
“Policët e rendit e më pas hetuesit e stacionit në Kaçanik i kanë marrë veprimet e nevojshme dhe menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar personat M.L ( M/K) i moshës 57 vjeçar dhe J.L ( M/K) i moshës 29 vjeçar , të cilët shkak i një mosmarrëveshje ishin përleshur me dy persona tjerë G.L (M/K) i moshës 63 vjeçar dhe B.L (M/K) i moshës 29 vjeçar , duke ju shkaktuar lëndime trupore”, ka njoftuar Policia.
Të lënduarit kanë pranuar tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Kaçanik, teksa lëndime kishte pësuar edhe i dyshuari M.L.
Të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin e policisë në Kaçanik dhe pasi janë intervistuar nga policët hetues, tek i dyshuari M.L është gjetur dhe konfiskuar një pushkë e gjuetisë me 6 fishekë.
Me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë për procedurë të mëtejme hetimore.
Policia ka njoftuar se rasti është cilësuar si ‘Lëndim i lehtë trupor dhe armëmbajtje pa leje'.























