Personat me aftësi të kufizuar, përballën me vështirësi në punësim
Valjeta Shala/RTK
Personat me aftësi të kufizuara, e konsiderojnë të pamjaftueshme hapësirën që po u ofrohet për punësim.
Në shumicën e vendeve, personat me aftësi të kufizuara janë sipërmarrës dhe të vetëpunësuar.
Ata gëzojnë të drejta në punësim si në institucione publike, private, organizata dhe në vende të tjera.
Personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen më vështirësi në punësim dhe pengesa në realizim të drejtave të tyre.
Një nga ta është edhe Asllan Canolli i cili për vite të tëra kishte kërkuar një vend pune. Ndonëse ai në vitet e fundit është i punësuar në Kuvend të Kosovës, por punësimi për këtë kategori thotë se mbetet ende sfidë.
“Vështirësitë dhe sfidat kane qenë të mëdha pasi në konkurse kanë kërkuar profesione sikurse kamarier ose diçka që të bëhet e pamundur për punësimin tonë”, thotë Asllan Canolli, person me nevoja të veçanta, por tashmë i punësuar në Kuvendin e Kosovës.
“Madje në disa vende as që është marrë parasysh punësimi i personave me nevoja të tilla”.
Kaltrina Misini, nga shoqata Handikos, thotë se në shumë institucione nuk respektohet kuota e punësimit për këtë kategori.
“Sipas raportit gjithëpërfshirës nga viti i kaluar nga dikasteret përfshirë edhe Zyrën e Kryeministrit, del se janë diku 76 persona me aftësi të kufizuar të punësuar në Qeverinë e Kosovës”, thotë Kaltrina Misini nga “Handikos”. “Por në këtë numër hyjnë veteranët dhe invalidët e luftës duke bërë jo plotësisht të plotësuar siç është sipas ligjit."
Kjo shoqatë inkurajon që institucionet publike dhe private të shpallin konkurse të hapura që t'u mundësohet punësimi këtyre personave.
Qeveria e Kosovës vitin e kaluar shpalli 2022 si vit te personave me nevoja te veçanta. RTK, ka provuar te ketë një përgjigje nga Qeveria se çfarë është bërë saktësisht ndaj kësaj kategorie, por nuk kanë kthyer përgjigje.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, janë mbi 78 mijë persona me nevoja të veçanta në Kosovë, por llogaritet që ky numër aktualisht të jetë më i madh.























