Arrestohet një i dyshuar për marrje ryshfeti
B. H. | RTKlive
Pas marrjes së një informacioni, hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë të Jugut kanë filluar të trajtojnë rastin e një personi të dyshuar, i cili ka kërkuar të hollave nga një person i dënuar në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë Jug.
I dyshuari, Sh.H. (i lindur në vitin 1981, mashkull kosovar), dyshohet se ka kërkuar 2500 euro nga personi i dënuar për t'i mundësuar atij një falje të pjesës së mbetur të dënimit. Gjysma e kësaj shume u kërkua menjëherë, ndërsa gjysma tjetër u kërkua "kur të përfundon punën".
“Policia, duke zbatuar masat e fshehta të hetimit, më 19.05.2023, në ora 18:55, në parkimin e një pike të derivateve në Mitrovicë, ka ndalur një veturë dhe gjatë kontrollit (nën ulëse, në një sirtar të vogël) ka gjetur 1300 euro të cilat ishin të shënjestruara për hetimin e fshehtë. I dyshuari është arrestuar, ndaj tij është iniciuar rasti ‘marrja e ryshfetit’, ai është intervistuar në prani të avokatit të tij dhe më pas, me aktvendim nga prokurori është dërguar në mbajtje deri në 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë.























